Dienstag, 26. März 2013

Pesë poezi nga Ymer Nurka

 
I VARFËRI GJITONI IM

Përmëndësh ke mësuar rrugët e qytetit,
Herët në mëngjez me sy mbyllur çohesh,
Vonë në mbrëmje, koke-ulur më kthehesh,
O punëtor i papunë, ku dhe shpresën ta kursejnë!
Ja dhe milingona në cepin e shtëpisë tënde
(marrë me qera)
Më tepër gaz po çoka në folen' e saj,
Fytyra jote, dikur një diell i shndritshëm,
Lind e perëndon zymtë në familje...

Mbrëmje, më mbrëmje,
Tek vështron ekranin në heshtje,
Më e madhja përqeshje, të përplaset në fytyrë
Kyy sy gjigand i tmerrshem, si pasqyrë,
Çuditërisht ngjan me shumë-qelizorët
E në fakt përbëet nga mijra sy-qorrë
Të kërrusur nga pesha e “mirnjohjes“
Mbajnë ekuilibrin, me patericat e pushtetit,
E lëshojnë reklama, për sofrat e mbretit
Në kulm te qametit.

Në vatrën tënde të mekur nga uria,
Mbuluar nga hiri i shpresave të djegura,
Me sy fëmijësh që pikojnë në heshtje,
O Zot, ç'paradokse sjell në horizonte,
Si mund të përqafohen kështu,
Luksi dhe verbimi.?

Ata që thonë; “Nuk jemi në kohë skllevërish„
Ndërsa gjithçkaje i vënë çmim:
Me kohë të paskan shitur,
I varferi gjitoni im.
Tek vërtitesh të bësh xhiron e kotësisë,
.Në udhëkryqin tënd,
Humbur paskam fillin e vështrimit.
 
 
 
 
O MJALTI NË HOJË

Dora gjë s'të prek, këmba gjë s'të shkel,
Ta mbuloka shtatin, fustani me tel,
Tash që hyri Vjeshta dhe Vera po del,
O mjalti në pite, vallë kush të vjel?

Si në mijra lule, gatuar nga dora,
E pjekur nga Dielli, freskuar nga bora,
Njëzet vitet shkuan, ja tek erdhi ora
Nga ç'princ prej qielli, do vihet kurora?

Cili e ka fatin, kush do të provojë,
Të të shtrydhë me buzë, të të shkrijë me gojë?
Si melhem për shpirtin , pika të pikojë,
O mjalti me pite, o mjalti në hojë!

Kur të rrjedhësh tinë, moj u bëfsha enë!
Në një cep të Botës, atje le t'më venë!
Ne të rrimë zgjuar, kur të tjerët flenë
Tretur të dy bashkë, si malli me ngenë...
 
 
 
 
KËNGA E TRETË

Agu erdh 'e zbardh Sarajin, ndriti dhe kalanë,
Kush guxon dhe zgjon Pashain, o Zot gjen belanë...
Ja tek rrinë ashtu pas dere, me zemër në dorë,
Presin me të verdhën çehre, dyzet shërbëtorë...

Të dyzetët mbajnë radhë, me ndere të larta,
Veshur me kostum të bardhë, të bardhë, si karta,
Pjatat plot me mjaltë në hoje, vën' mbi tabakara,
Me shurupët lloje-lloje, plot kupat e lara...

Ndihet brënda koll' e rëndë, hungërrimë luani,
Gjithë Janina brof më këmbë, ditën çel Divani,
Kryet unjin yzmeqarët, servirin sherbetet,
Ja Veziri pret Të Parët, me gjithë salltanetet

Vijnë hafijet mbi postiqet, të sjellin oguret,
Dhe kur japin sihariqet, prap mbushin poturet,
Një nga një fjalët shkoqiten, të drojtur nga gafat
Luten kokat, se mos priten, me satër nga qafat...

Nëpër oda s'ka më urdhër, s'ndihen as nallanet,
Veç qatipët, si kukudhër, po shkruajnë fermanet.
Rrëshket pena e argjendë, rrëshket, pas çdo shkronje,
Gjersa shtrin hijen e rëndë, shtati i një zonje...

E kush tjetër është kjo zonjë, veç Vasiliqisë,
Që dhe pse nuk është leonë, Plakun mban në sisë,
Teksa fal dy, a tri naze, prapë fjala gjen fillë,
Karafil i çelur taze, buza jep këshillë,..

Dhe levendi prap çuditet, nga fjalët e thëna,
Ndërsa vajza pran' avitet, e qeshur si Hëna
“Më kot folkan njerëzia, kur gjërat s'i dinë
Gjoja s'paska bukuria, motër mënçurinë!„

Tek Pashai me ngadalë, derdh hiret e saja,
Peng lë belin porsi ngjalë, mbi duart e mëdhaja,
Si ndër putrat e ariut, ja drenusha lutet,
Nëpër shpullat e Aliut, hepet e s'këputet...

Fërgëllon sa për nën mjekër, gusha e fildishtë,
Dor' e trimit porsi kthetër, zë gudulis mishtë,
Tek tërheq flokët e gjatë, të çmëndur si jelet,
Pëllëmba që mban një shpatë, bukur dhënka dhelet..

Iku ditë e trëndafiltë, muzgu merr Sarajin,
Sikur çel e shkon e prilltë, endrra që zgjon Majin,
Nëpër rrugë ndizen fenerët, ndizen dhe shandanet,
Ndërsa gazi lëshon frerët, brenda në hamamet...
 
 
 
 
MARGARITAR...

Këmbë-shkelura në vesë,
Ç'deshe, që më re në pjesë
E ma bëre ditën ters?!
Më le peng e më dhe shpresë...

Unë një hap e ti hedh pesë,
Më lodhe mike, për besë,
Më bëre burim, në djersë,
Më ndave rrugën, në mes...

Pritmë moj, që të të pres...!
Shuamë, që prapë të ndez !
Si top-bore, do të tres,
Do të lë, veç syt' e zes...

E për perla, do t'i shes,
Të blej dit' e të mos vdes...
 
 
 
 
UNË LËVDOJA MAJIN

Udha për thëllëza, shtegu për bilbilë,
Pse ky fat për mua, çne ky fat i tillë?
O me katër gjethe, ç'ma deshe tërfilë?
Moj ç’ma prishe mëndjen, ç'ma këpute fillë..

Unë dridhem në ethe, ti më ndez kongjillë,
Pse ky fat për mua, çne ky fat i tillë?
Të puthsha sokakun, që çel trëndafilë!
Seç ma prishe mëndjen, ç'ma këpute fillë.

Detet t’i dhashë blu, ti m’i do jeshilë,
Pse ky fat për mua, ç’ne ky fat i tillë?
Unë lëvdova Majin, ti më shave Prillë,
Moj ç’ma prishe mëndjen, ç'ma këpute fillë.

Unë të zgjova ëndrrën, ti më flake trillë
Pse ky fat për mua, çne ky fat i tillë?
Ç’naze i bën botës, lëri për bandillë!
Seç ç’ma prishe mëndjen, ç'ma këpute fillë.

Me një rreze syri, ç’ma dogje fitilë,
Pse ky fat për mua, çne ky fat i tillë?
Po më shteri vaji, ç’e dua kandilë?
Moj ç’ma prishe mëndjen, ç'ma këpute fillë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen