Dienstag, 26. März 2013

Tri poezi nga Brahim Avdyli


PËRFYTYRIMI  I  DETIT

 


Shpesh më fanitet deti

si sofër e madhe

shtruar nën hënë-

 

përreth të heshtur

përtypen shkëmbinjtë

kafshoren duke e njomur

në atë verdhësi të largët...

 

Asgjë nuk më duket

më e pikëlluar

se shkëmbijtë e kërrusur

në vetvete,

 

e gropëzave të tyre

po të isha gomë

e fatkeqësive të botës

hijën e mosbesimit

do ta zhbija

 

dhe trishtimet e shtruara

në atë sofër!...

 

           Shifra: Goma e fatit

 

 

 

ORËT E MALEVE

 

Sa herë shetis nëpër male

pres të takohemi së bashku

pas ndonjë lisi të gjatë

pas ndonjë pishe

 

ju, nimfave të Zeusit

nëpër Iliri, Epir dhe Maqedoni

ua këndojmë oreadat në Shqipëri

edhe në shekullin XXI.

 

Tani, kur pi uj e freskohem

nëpër stërkalat e burimeve

sikur ndëgjoj pëshpëritjet tuaja

nëpër vallëzimet magjike

 

sa të pushtetshme i keni kodrat

sa të rralla shpellat e maleve

sa të freskëta hijet e lisave...

 

Merreni një sofër pishe

dikund në pishnajat e larta

e silleni në Dukagjin

 

të ulen këmbëkryq Zotrat!

 

           Shifra: Dukagjinasi

 

 

 

 

KUJTIMET E KËSAJ BOTE

 


Dal papritmas në breg të këngës

shoh Naimin të copëtohet për qiririn që digjet,

shoh Asdrenin që martohet me vetminë

                 për të mos e përsëritur veten,

shoh çajupin të nxjerrë zemrën

                 e të gjej Stefanin të gjallë

duke u martuar përfundimisht me dhembjen…

 

Migjenin e ndjej në veten time sikur të isha mësues

të më digjej zemra me leckat e Lulit të Vocërr

dhe hijen tonë që shet veten

               për pak qindarka nëpër botë

dhe botën e madhe të vendlindjes e lë me vetminë…

 

Unë, i njëqindti fyell i kësaj botë jam

nga Deti i Zi e deri në Oqeanin Atlantik-

Naim Beu, ti Asdren, i mjeri çajup

më pritni kur të vi me Migjenin e Vocërr për dore

 

e të qajmë së bashku kujtimet e kësaj bote!

 

               Shifra: Dhembja e gjallë

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen